Ministria
Pas shpalljes së Pavarësisë, më 4 dhjetor 1912 u formua Qeveria, me Kryeministër Ismail Qemalin. Ministër Bujqësisë u caktua z. Pandeli Cale, që është edhe Ministër i parë i këtij dikasteri.
Ministria e Bujqësisë, funksionoi si e tille deri më 3 shtator 1914. Mbas kësaj date, deri në qershor të vitit 1927, veprimtaritë bujqësore, pyjore e minerale në Shqipëri, kryheshin nga Ministria e Punëve Botore.
Më 1927, Parlamenti, duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj dege për ekonominë kombëtare, rikrijoi Ministrinë e Bujqësisë me Ministër Ferid Vokopola dhe me strukturë funksionale: Ministër, Sekretar i Përgjithshëm dhe Drejtori: Bujqësie, Veterinarie, Pyjeve dhe Administrata .
Institucioni qe ka mbuluar bujqesine ka pasur emërtime të ndryshme, në varësi të zhvillimeve ekonomiko-shoqërore të vendit.
Keshtu në fund të vitit 1929, Ministria e Bujqësisë dhe e Pyjeve u emërtua Ministria e Ekonomisë Kombëtare me Ministër z.Musa Juka. Në këtë periudhë në çdo prefekturë kishte zyra bujqësie, veterinarie, dhoma tregtie dhe inspektorë pyjesh. Si dhe stacione zooteknike si në Xhafzotaj dhe dy fidanishte një në Laprakë - (Tiranë) dhe tjetra Bushat - (Shkodër).
Në vitin 1940 emërtimi ndryshoi përsëri, duke u quajtur Ministria e Bujqësisë dhe e Pyjeve. Në vitet 1940-44 Ministria e Bujqësisë u bashkua me Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare.
Më 13.01.1945 u krijua edhe nje here Ministria e Bujqësisë dhe e Pyjeve. Ministër i parë pas Çlirimit ka qënë Prof.Gaqo Tashko. Nga viti 1960 e mbrapa deri në 1992 institucioni u quajt Ministria e Bujqësisë. Sektori i pyjeve ishte drejtori e veçantë në varësi të kesaj Ministrie.
Me ndryshimet thelbësore që u bënë në vitet 90-të, duke filluar nga 13. 04. 1992 Ministria e Bujqësisë u bashkua me sektorin e ushqimit të Ministrisë se Industrise se Lehte dhe Ushqimore duke u krijuar Ministria e Bujqësisë dhe e Ushqimit deri në Shtator të vitit 2005. Në qeverinë e krijuar pas zgjedhjeve të 3 Korrikut 2005 njihet me emrin Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Në misionin dhe programin e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka marrë nje theks të veçantë siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit.