Tërheqja dhe garantimi i kapitalit bankar në ferma dhe agropërpunim mbetet rruga më e mirë e zhvillimit të sektorit bujqësor. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, z. Genc Ruli thotë se për të arritur këtë qëllim, për herë të parë këtë vit qeveria ka marrë përsipër të ndajë rrisqet me bankat private që kreditojnë sektorin. Për zotin Ruli, investimi në prodhim dhe agropërpunim jo vetëm që është me leverdi, por në të njëjtën kohë mbetet dhe alternativa më e mirë e zhvillimit dhe rritjes ekonomike të vendit.
Janë dhjetëra prodhues të vegjël, që pas përvojave të tyre në vendet e Bashkimit Europian kanë ngritur dhe po zhvillojnë me sukses biznese bujqësore në të gjithë vendin. Shumica e këtyre bizneseve, falë edhe futjes së teknologjisë bashkëkohore po prodhon sipas standarteve evropiane, ndonëse për to nuk ka subvencione siç ndodh me vendet e BE.
Deklarimet e tij ministri i bëri pas vizitave që zhvilloi në disa prej subjekteve dhe bizneseve bujqësore në fshatrat e Durrësit dhe Tiranës. Ministri Ruli vizitoi gjithashtu edhe Istitutin e Bujqësisë Biologjike bashkë me Ambasadoren e Zvicrës në Shqipëri, Znj Yvana Enzler. Në vitin 2001 Qeveria Zviceriane ka nisur projektin “Mbështetje për Bujqësi të qëndrueshme në Shqipëri (SASA)”, me qëllim mbështetjen financiare dhe teknike për bujqësinë BIO, në bashkëpunim të ngushtë me SHBO. Aktualisht, po vijon projekti për përmirësimin e gjendjes ekonomike të banorëve të zonave rurale nëpërmjet përmirësimit të cilësisë së produkteve dhe tregëtimin e produkteve në tregun vendas dhe atë të eksportit.






