Ministria e Bujqesise, Ushqimit dhe Mbrojtjes se Konsumatorit

Plani Veprimi për zhvillimin e Bujqësisë Organike në Shqipëri

E-mail Print PDF
There are no translations available.

Bujqësia Organike mund të ofrojë përfitime me interes për shëndetin dhe mbrojtjen e mjedisit; gjithashtu në shumë raste, është provuar se ka ndikime pozitive mbi ekonomitë rurale nga pikëpamja e krijimit të të ardhurave dhe diversifikimit të veprimtarive ekonomike.

1.    Informacion i përgjithshëm
Bujqësia është një sektor shumë i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare. Pavarësisht nga potenciali i konsiderueshëm i rritjes, si për sa i takon prodhimit ashtu edhe tregtisë, ai siguron bazën e të ardhurave për më shumë se gjysmën e popullësisë dhe shërben si një rrjetë sigurie punësimi për një përpjesë akoma më të madhe. Në fakt, ritmet e rritjes kanë qenë ndër më të lartat në Evropë, edhe pse përpjesa e bujqësisë, ndonëse mbetet shumë e rëndësishme, është në rënie, krahasuar me sektorët e shërbimeve, transportit dhe ndërtimit, të cilët kanë një hov momental. Pavarësisht nga kjo, roli që luan ky sektor në ekonominë shqiptare është shumë më i madh se sa në cilindo vend tjetër evropian, përfshi edhe fqinjët e Shqipërisë në Evropën Juglindore, me afro një të tretën e PBB që vjen nga prodhimi bujqësor.

Edhe pse një vend i vogël, falë relievit kodrinor dhe malor, klimës, politikave ekonomike dhe faktorëve të tjerë, Shqipëria fsheh ndryshime të mëdha në zhvillimin rajonal. Megjithatë, mesatarisht, zonat rurale janë të karakterizuara nga një dendësi e lartë e popullatës krahasuar me sipërfaqen e tokës së punueshme, infrastrukturë rurale e dobët, standarte jetese të ulta, izolim nga informacioni dhe veprimtaritë kulturore, etj. Këto faktorë e kanë rritur imigracionin në vend, i cili së bashku me përqëndrimin e veprimtarive ekonomike jo-bujqësore, ka zënë tokë bujqësore me vlerë në ultësirën perëndimore. Ujitja, e cila është jetike për tokat bujqësore shqiptare dhe një përparësi absolute për nga pikëpamja e akordimeve buxhetore në dekadën e fundit, ende nuk ka arritur një sipërfaqe nën ujitje prej më shumë se 180,000 ha nga 423,000 ha që është potenciali ujitës i parashikuar. Disa prej kufizimeve sociale për zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri janë shkalla e lartë e emigracionit dhe imigracionit, mungesa e interesit të të rinjëve për t’u marrë me bujqësi, përfshirja e pjesshme në aktivitete bujqësore, mungesa e nxitësave financiarë dhe socialë, etj.

Privatizimi i tokës bujqësore, si pjesë e politikave liberalizuese të cilat vijuan pas rënies së komunizmit, kur kontrolli shtetëror dhe subvencionimet kishin rënë ndjeshëm, çoi në shpërbërjen e shpejtë të 550 fermave shtetërore dhe kooperativave dhe privatizimin e afro 94% të tokës bujqësore deri më 1994 si dhe mbi 470.000 ferma bujqësore private deri më 1996, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 560.000 ha. Si rezultat, bujqësia është e kufizuar nga ferma të vogla, uniforme dhe segmente toke të fragmentarizuara, me një madhësi mesatare ferme prej 1.3 ha (madje në zonat malore kjo mesatare është edhe më e vogël, 0.8). Edhe pse kjo mund të ketë frenuar rritjen e prodhimtarisë, shpërndarja e këtyre parcelave të vogla ishte një formë e rëndësishme e sigurisë sociale për popullatën rurale, e cila shpëtoi njerëzit nga uria. Ndërkaq, pothuajse gjysma e bujqëve nuk shesin prodhime në treg dhe bujqësia e mbijetesës dhe gjysmë-mbijetesës siguron një nivel minimal të sigurisë ushqimore dhe qëndrueshmërisë social-ekonomike në zonat rurale. Duke marrë në konsideratë përvojën në dekadën e fundit, në të ardhmen mund të presim vetëm ndonjë ndryshim të vogël dhe kjo për shkak se mungon tregu i tokës, pasojë kjo e pasigurisë mbi marrëdhëniet pronësore mbi tokën bujqësore dhe mungesën e një perspektive të veprimtarisë bujqësore. Përpjekjet për të organizuar fermerët në kooperativa prodhimi ose marketingu, deri tani, nuk kanë patur efikasitet dhe kjo për shkak të mungesës së një sistemi marketingu të zhvilluar (mungesës së kontratave ndërmjet fermerëve dhe prodhuesve, përpunuesve, etj.), faktorëve që lidhen me mendësinë e krijuar nga përvoja e kooperativave komuniste dhe fermave shtetërore si dhe mungesa e nxitësave. Nga ana tjetër, prodhuesit bujqësorë dhe bizneset agropërpunuese shqiptare sapo kanë filluar të përfitojnë nga kapitali social i shoqatave të prodhuesve. Këto shoqata, të grupuara në Këshillin e Agro-Biznesit Shqiptar dhe në grupe të tjera shoqatash, mund të ofrojnë një mbështetje të konsiderueshme për prodhuesit në fushat e mbrojtjes, përhapjes së informacionit, zhvillimin e kontakteve të biznesit si dhe në kapërcimin e pengesave institucionale.

Historia post-komuniste e bujqësisë shqiptare ka dëshmuar një zhvendosje në strukturën e prodhimit drejt një modeli të drejtuar nga kërkesa, me një rënie të thikët të bimëve fushore industriale (oriz, pambuk, grurë, duhan) të ekuilibruar nga një rritje në prodhimin e bimëve foragjere. Agro-përpunimi (vaji i ullirit, prodhimi i miellit) dhe hortikultura (prodhimi i ullinjve, rrushit, perimeve dhe frutave) kanë dëshmuar një rritje dinamike, shumë më të shpejtë se sa sektori i bujqësisë. Disa prej shkaqeve të kësaj rishpërndarje të burimeve ndërmjet nënsektorëve janë efektet e liberalizimit të tregtisë, investimeve, ndryshimeve në nivelin institucional dhe infrastrukturor si dhe rritjes së kërkesës së brendshme për prodhime ushqimore. Këto rritje dhe rënie në prodhimin e nënsektorëve bujqësorë të veçantë, pasqyrojnë gjithashtu avantazhet krahasuese të Shqipërisë nga pikëpamja e klimës, gjeografisë dhe kostos së krahut të punës. Sidoqoftë, si bujqësia ashtu edhe agropërpunimi, përballen me sfida të mëdha për të arritur standartet rajonale, veçanërisht në  drejtim të kapacitetit institucional, teknologjisë, aftësive dhe njohurive, depërtimit tek burimet si dhe cilësisë së lëndëve të para dhe prodhimit.

Çështje të tjera institucionale kanë lidhje me marketingun e dobët dhe ambalazhimin e produkteve shqiptare, përveç përmirësimeve të kohëve të fundit në disa produkte kryesore. Depërtimi i dobët tek informacioni kufizon qoftë tregtinë e brendshme ashtu edhe mundësitë për eksport. Janë bërë përpjekje për ngritjen e sistemit të informacionit për tregun, deri tani vetëm për frutat dhe perimet. Mungesa e mjediseve të tregtimit ka penguar depërtimin në treg si dhe ka rritur rreziqet ekonomike të prodhuesve, pasi kapaciteti ruajtës i ulët i prodhimit nuk lejon që të përfitosh nga luhatjet e çmimit në treg si dhe shkurajon një prodhim më të lartë. Qeveria është përgjigjur, kryesisht nëpërmjet fondeve të donatorëve, duke ndërtuar tregje shumice dhe thertore në zonat kryesore të prodhimit në vend. Avantazhi gjeografik i Shqipërisë nuk është shfrytëzuar plotësisht për shkak të infrastrukturës (transportit rrugor, hekurudhave dhe porteve, ujitjes, elektricitetit, etj.) e cila është ende në proçesin e arritjes së standarteve rajonale. Duke marrë në konsideratë përfitimet e infrastrukturës për sektorë të tjerë të ekonomisë shqiptare, veçanërisht turizmit, një prej shtyllave të ekonomisë shqiptare, Qeveria ka akorduar një pjesë të konsiderueshme të buxhetit për të zgjidhur problemet e infrastrukturës.

Liberalizimi i tregtisë me jashtë ishte një prej masave të para të marra gjatë periudhës post-komuniste, duke kontribuar në mëkëmbjen e shpejtë në tregti por gjithashtu edhe në një defiçit, pasi kërkesa e brendshme vazhdonte të tejkalonte prodhimin e brendshëm. Ashtu si për sektorët e tjerë, kjo vlen edhe për sektorin e bujqësisë dhe ushqimit. Duke patur parasysh rritjen e vazhdueshme të sektorit, rënia e përgjithshme në eksportet bujqësore mund të mos përbëjë një shkak për t’u shqetësuar. Megjithëse rritet më ngadalë se sa ekonomia në përgjithësi, sektori i bujqësisë nuk është tkurrur, siç mund të mendohet duke patur parasysh rritjen e jashtëzakonshme në importe. Mbizotërimi i importeve në thuajse çdo kategori është një shenjë e pamundësisë së Shqipërisë për të qenë e vetë-mjaftueshme në bujqësi por nuk do të thotë detyrimisht se i mungon aftësia për të qenë konkurruese. Këto kufizime mund të kompensohen nëpërmjet avantazheve natyrore siç është klima mesdhetare në ultësirat perëndimore, duke mundësuar një sezon më të gjatë, mundësitë për diversifikimin dhe diferencimin e produkteve, afërsinë fizike me vendet e BE, vjeljet e hershme, parapëlqimin e konsumatorëve shqiptarë për prodhimet e vendit, etj. Në këtë epokë të liberalizimit të tregtisë në raport me angazhimet ndaj OBT dhe ecurisë së mëtejshme të integrimit në BE, pritet një rritje në konkurrueshmëri. Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, e nënshkruar rishtazi, ka siguruar një nxitje për reformën bujqësore dhe modernizimin e sektorit duke përmirësuar kuadrin rregullator, institucional dhe ligjor, i nevojshëm për fuqizimin e konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore. Me ristrukturimin e sektorit, disa produkte tipike po konkurrojnë me sukses me importet dhe madje janë produkte eksporti të suksesshme. Prandaj, sfida e politikëbërësve është që të ruajnë rolin e bujqësisë si një kontribues me rëndësi në rritjen ekonomike nëpërmjet mbështetjes dhe kultivimit të shënjestruar, brenda kufijëve të kërkesave të OBT, me qëllim që të gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme dhe të inkurajojnë fermerët dhe prodhuesit që të kalojnë në këto bimë bujqësore konkurruese.

Në një mozaik të tillë të bujqësisë shqiptare, përveç prodhimit me shumë inpute në një kuadër poltikash mbështetëse, një politikë bujqësore dhe rurale e qëndrueshme ‘‘post moderne’’ mund të përshtatet mjaft mirë. Kjo qasje ndaj bujqësisë mbështet bujqësinë organike dhe me pak inpute në mjaft zona, duke prodhuar ushqim të shëndetshëm me cilësi të lartë. Ajo do të favorizojë konkurrueshmërinë e bujqësisë shqiptare dhe do të kthejë një shkallë të caktuar prapambetje në avantazh duke konsideruar bujqësinë ekstensive që praktikohet në një pjesë të madhe të territorit shqiptar. Ndihmesa financiare e kërkuar në këtë rast nuk është një ndihmë ekonomike por një pagesë për të ruajtur mjedisin, pejsazhin dhe kulturën në një mënyrë të qëndrueshme, për të mirën e tërë shoqërisë. 

2.    Bujqësia organike në Shqipëri: historia dhe veçoritë kryesore

Historia e bujqësisë organike në Shqipëri është e lidhur me themelimin e Shoqatës së Bujqësisë Organike (SHBO) më 1997. Një vit më vonë, SHBO u bë anëtare e IFOAM.

Që në fillimet e themelimit të saj, SHBO filloi të nxisë lëvizjen dhe produktet organike nëpërmjet pjesmarrjes në panairet e konsumatorëve të organizuar në vend. Duke filluar nga viti 2001, kjo Shoqarë filloi zbatimin e disa projekteve për bujqësinë e qëndrueshme me mbështetjen financiare të donatorëve ndërkombëtarë (FiBL dhe Avalon). Veprimtaritë kryesore ishin të lidhura me teknikat organike të prodhimin bimor dhe mbrojtjes së tij, duke u përqëndruar në perime, pemëve frutore, ullinj dhe vreshta. Prodhimi organik blegtoral është gjithashtu një tjetër drejtim i mbështetjes, veçanërisht në zonat me një prirje për rritjen e blegtorisë. Përveç këtyre, gjatë këtyre viteve janë ndërmarrë një sërë iniciativash marketingu, duke synuar që të krijohet kërkesa për produkte organike. Në këtë kontekst, ekzistenca e një dyqani në qendrën e Tiranës si dhe stendave në tregjet kryesore agro-ushqimore, ka ndihmuar në nxitjen e produkteve organike dhe rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve. 
Duke marrë në konsideratë shkallën e vogël të fermave shqiptare dhe proçesin e gjatë të konvertimit të fermerëve në prodhimin organik, sipërfaqja bujqësore organike është ende shumë e vogël. Aktualisht, sipërfaqja e drejtuar në mënyrë organike është 1200 hektarë. Pjesa më e madhe e kësaj sipërfaqe organike është çertifikuar nga SHBO në nivel kombëtar dhe, në pak raste, nga trupa çertifikimi ndërkombëtare. Në prag të përvjetorit të dhjetë të saj, lëvizja organike numëron më shumë se 90 ferma organike, pjesa më e madhe të cilave është çertifikuar sipas standarteve organike. Fermat organike janë, deri diku, të shpërndara në tërë territorin e vendit. Ato gjenden kryesisht në zona me një bujqësi të zhvilluar (zonat e ulta të Durrësit, Tiranës, Vlorës, Fierit, Kavajës, Lushnjës) por edhe në zonat e larta me një prirje për bimë të veçanta (Korça, Skrapari, Pogradeci, Kruja). Numri më i madh i fermave janë të lokalizuara pranë kryeqytetit (Tiranë dhe Durrës), tregu më i madh për produkte organike. Produktet kryesore organike janë bimët mjekësore, vaji i ullirit, frutat dhe rrushi, perimet dhe qumështi. Gjithashtu prodhohen sasi më të vogla vezësh, djathi, vere dhe mishi.   

Pjestarët e lëvizjes organike kanë kontribuar në formimin e bazës ligjore për prodhim organik. Kështu, me ndihmesën e donatorëve dhe bashkërendimin ndërmjet aktorëve, Kuvendi miratoi Ligjin nr. 9199, datë 26.2.2004 “Për prodhimin, përpunimin, çertifikimin dhe marketingun e produkteve “bio”. Vlen të përmendet se nga fundi i proçesit të hartimit të ligjit, SHBO, nxitëse e proçesit të hartimit ligjor, e kundërshtoi miratimin e tij duke qenë se nuk ishte dakord me qasjen për adoptimin e Rregullores së BE pa përshtatje, me qëllim që të merreshin në konsideratë disa kufizime të fermerëve organikë shqiptarë në krahasim me fermerët e BE-së. Të tjerë aktorë, ishin të mendimit se të njëjtat standarte duhet të zbatohen për prodhuesit organikë shqiptarë për qëllimet e ekuivalencës dhe sjelljes së prodhuesve.

Dispozitat e ligjit të pëmendur më lart si dhe kuadri i një projekti të ri (SASA) të financuar nga Kooperacioni Zvicerian për Zhvillim (Swiss Development Cooperation (SDC) dhe SECO dhe i zbatuar nga FiBL, ka krijuar aktorë të rinj në lëvizjen për bujqësinë organike. Inspektimi dhe çertifikimi i prodhimit organik për tregun e brendshëm kryhet nga SHBO dhe një shoqëri tregtare e regjistruar në gjykatën shqiptare, e emërtuar AlbInspect. Duke parashikuar një të ardhme pa ndihmesën e donatorëve, AlbInspect po përpiqet që të jetë rentabël duke zgjeruar gamën e shërbimeve të saj. Në Shqipëri operojnë trupa të tjera çertifikimi, si BioInspecta, BCS Öko Garantie, CERES, SKAL, ICEA dhe Italian Codex. BCS, CERES, SKAL dhe Italian Codex kanë çertifikuar thuajse vetëm eksportuesit e mëdhenj të bimëve mjekësore dhe esencave, ndërsa BioInspecta ka çertifikuar dy raste eksporti të suksesshme, erëzat e freskëta dhe vajin e ullirit organik, që të dy këto produkte për tregun zvicerian.

BioAdria, një rrjet kërkimi dhe shërbimi këshillimor që përbëhet nga shumë ekspertë në teknikat e prodhimit organik është përqëndruar në kërkimin shkencor dhe shërbimin e këshillimit që i ofrohet fermerëve organikë. Financimet kryesore të projektit SASA do t’i përkushtohen rritjes së ofertës së produkteve organike. Asistenca nëpërmjet projekteve të tjera, si Projekti PAB në kuadrin e INTERREG IIIa, ka ndihmuar në zgjerimin e njohurive të ekspertëve dhe fermerëve shqiptarë për teknikat e bujqësisë organike, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen biologjike dhe kompostimin. Ky Projekt ka organizuar gjithashtu trajnim të specializuar për punonjësit e shërbimit këshillimor publik duke pasqyruar gadishmërinë e Qeverisë për të nxitur këtë sektor.

Të tjerë aktorë po hyjnë në lëvizjen organike, siç është rasti i Shoqatës Shqiptare për Hortikulturën Organike “BioPlant”.

Bujqësia organike në Shqipëri po përfiton edhe nga veprimtaritë e kryera nga të tjerë donatorë si Oxfam, GTZ, SNV, FAO, etj. Të fokusuar në bujqësinë e qëndrueshme, tregtinë e mirë (fair trade), grupet e vogla dhe promovimin e produkteve tipike, këto donatorë kanë gjetur sinergji me praktikat ose vlerat e bujqësisë organike. Në këtë mënyrë, bujqësia organike ka hyrë në axhendën e donatorëve kryesorë që operojnë në Shqipëri. Kjo ka ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe simpatisë së aktorëve politikë, të cilët janë mendje-hapur për bujqësinë organike.

Në lidhje me arsimin, Universiteti Bujqësor i Tiranës, në koherencë me universitete të tjera, ka shtuar në kurrikulë tre module, përkatësisht “Bujqësia Bioekologjike” në Departamentin e Agromjedisit dhe Ekologjisë” dhe “Hortikultura Organike” dhe “Mbrojtja Biologjike” në Departamentin “Hortikulturë dhe Mbrojtje e Bimëve”. Nga autorë shqiptarë janë botuar disa diploma dhe mikroteza si edhe artikuj që kanë të bëjnë me bujqësinë organike në revista shkencore.

Bujqësia organike po gjen momentin në skenën politike, sociale dhe shkencore në Shqipëri.

3.    Fushat dhe aksionet politike me përparësi

Në këtë stad, krijimi, nga njëra anë, i një kuadri institucional mundësues dhe strukturimi i zinxhirëve të ofertës organike, duke u fokusuar në produkte kyçe strategjike dhe shërbime thelbësore, nga ana tjetër, përfaqëson një drejtim të dyfishtë të detyrueshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit organik në Shqipëri i cili duhet që në mënyrë progresive të fitojë pranueshmëri dhe të vendosë veten në komunitetin organik ndërkombëtar.
Në lidhje me drejtimin zhvillimor të parashikuar, në paragrafet e mëposhtme janë paraqitur një sërë përparësish dhe veprimesh, ku të gjitha janë hapa të domosdoshëm komplementarë që duhet të ndërmerren, në një hark kohor të volitshëm, duke marrë në konsideratë ndikimin e tyre në bujqësinë shqiptare dhe kuadrin institucional që ndryshon me shpejtësi.

Janë identifikuar pesë fusha me përparësi për veprim:

•    Hartimi, konsolidimi dhe zbatimi i një politike kombëtare për bujqësinë organike, e cila të lejojë sinergji me institucionet përkatëse dhe politikat e tjera zhvillimore

•    Forcimi i legjislacionit kombëtar për bujqësinë organike dhe i strukturës së sistemit kombëtar organik

•    Strukturimi i zinxhirit të ofertës organike duke lehtësuar konvertimin në bujqësinë organike (midis fermerëve dhe përpunuesve) dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, inkurajimin e zhvillimit të tregut për inputet dhe produktet organike

•    Mbështetjen e kërkimit shkencor, arsimit dhe shërbimit këshillimor në bujqësinë organike me qëllim që të zhvillohet dhe konsolidohet një sistem kombëtar njohurish për bujqësinë organike

•    Inkurajimi i integrimit të Shqipërisë në komunitetin organik ndërkombëtar dhe nxitja e rrjetëzimit kombëtar dhe ndërkombëtar


3.1    Fusha e parë me përparësi ka të bëjë me hartimin, konsolidimin dhe     zbatimin e një politike kombëtare për bujqësinë organike e cila     mundëson sinergji me institucione të tjera dhe politika zhvillimore     përkatëse.
3.1.1        Mbi bazën e një qasje të integruar dhe me pjesmarrje,                nëpërmjet      këshillimeve të vazhdueshme me aktorët                kryesorë të sektorit,   duhet të hartohet një politikë kombëtare            për bujqësinë organike. Do të zhvillohet bashkëpunimi, nga            njëra janë, ndërmjet drejtorive  të ndryshme të Ministrisë së            Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe                ndërmjet kësaj të fundit dhe ministrive të  tjera përkatëse nga            ana tjetër. Aty ku është e mundur, bujqësia organike do të            përfshihet në rishikimin në vazhdim të politikave dhe                programeve për zhvillimin bujqësor dhe rural, sigurinë                ushqimore, mbrojtjen e mjedisit, shëndetin publik, arsimin dhe            turizmin e qëndrueshëm.

3.1.2    Pasi të jenë marrë në konsideratë kufizimet buxhetore dhe vështirësitë administrative, duhet të bëhen orvatje të synuara për të hartuar dhe zbatuar masa të drejtëpërdrejta dhe të tërthorta për të mbështetur zhvillimin e sektorit organik.

3.1.3      Qeveria do të marrë masa për të shqyrtuar anëtarësinë dhe mandatin  e Komisionit Kombëtar (Vendim i Këshillit të Ministrave Nr.           145, datë 8.3.2006). Në Komision do të përfshihen përfaqësues të  ministrive dhe institucioneve të tjera që kanë lidhje dhe këtij       
Komisioni do t’i caktohet një rol koordinues dhe këshillues në       
zhvillimin e sektorit organik.

3.1.4     Sekretariati Teknik ekzistues i Komisionit Kombëtar do të mbështesë  këtë të fundit në bashkërendimin e orvatjeve publike dhe zhvillimin    
e sinergjive ndërmjet iniciativave publike dhe private.
Nëse nevojitet, në të ardhmen, do të merret në konsideratë ngritja e   një Zyre për Bujqësinë Organike, brenda Ministrisë së Bujqësisë,       Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe e përbërë nga personel   
i Ministrisë që punojnë në drejtoritë e interesuara.


3.2    Fusha e dytë me përparësi është zbatimi i legjislacionit kombëtar  për     bujqësinë organike dhe strukturimi i sistemit organi  kombëtar

3.2.1    Qeveria do të përpiqet të amendojë dhe zbatojë kuadrin ligjor kombëtar për bujqësinë organike nëpërmjet këshillimit me aktorët përkatës dhe grupet e interesit, duke marrë në konsideratë rishikimin e kohëve të fundit të rregullorës së BE si dhe proçesin e integrimit evropian.

3.2.2    Do të bëhen përpjekje për të nxitur thjeshtëzimin dhe për të shmangur burokratizimin e tepërt të proçedurave të inspektimit dhe çertifikimit të cilat duhet të jenë të mbështetura mbi bazën e riskut. Do të merren masat e duhura për të përmirësuar efikasitetin dhe transparencën e sistemit të kontrollit dhe inspektimit dhe do të garantohen trupat e kontrollit.
Për më tepër, do të sigurohen lidhjet dhe sinergjitë e nevojshme me veprimtaritë e Drejtorisë së Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit si edhe me proçesin në vazhdim për të çuar në krijimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

3.2.3    Do të vlerësohet mundësia për të adoptuar një opsion çertifikimi kolektiv duke marrë në konsideratë përfitimet e shumëfishta që mund të sjellë “metoda në grup” në kontekstin e sistemeve bujqësore shqiptare, të karakterizuara nga një madhësi ferme shumë e vogël, fragmentarizim i tokës, përqëndrim i dobët i ofertës bujqësore dhe mundësi të kufizuara të tregtimit. Një rol i rëndësishëm në këtë pikëpamje, parashikohet për trupat e inspektimit dhe çertifikimit në bashkëpunim me shërbimin këshillimor.

3.2.4    Do të nxitet një dialog dhe negociata konstruktive midis aktorëve për çështjen e OMGJ-ve dhe bashkëekzistencës.

3.2.5    Do të merret në konsideratë nisja e proçesit të vlerësimit të ekuivalencës, pasi të jenë vlerësuar ndikimet që lidhen me të dhe kosto e pajtueshmërisë.

3.2.6    Do të ngrihet në sistem kombëtar informacioni për bujqësinë organike me qëllim që të prodhohen të dhëna të sakta dhe të besueshme mbi bazën e të cilave mund të informohen në mënyrën e duhur vendimet publike dhe iniciativat private në lidhje me këtë sektor. Tre hapat e para në këtë drejtim do të përfaqësohen nga krijimi i:

-    një bazë të dhënash për bujqësinë organike ku të përfshihet informacioni statistikor për shërbimin këshillimor dhe lokalizimin e tokës organike, numri dhe profili i operatorëve organik, produktet organike kryesore. Informacioni do të mblidhet/prodhohet duke marrë në konsideratë kërkesat e Eurostat.

-    një faqe interneti për bujqësinë organike përfshi rubrikat e mëposhtme: i) rregulloret zyrtare përkatëse dhe masat mbështetëse; ii) statistika për sektorin organik; iii) karakterizimin e prodhimeve organike shqiptare kryesore (sasitë, karakteristikat e produktit, vendin dhe sezonin e prodhimit) dhe prodhuesit; iv) ndarjen në zona të territorit të Shqipërisë mbi bazën e prirjes për bujqësinë organike; v) informacion për projektet në vazhdim për bujqësinë organike dhe iniciativat e financuara nga donatorë ndërkombëtarë; vi) informacion për studimet dhe punën kërkimore që kryhet në fushën e bujqësisë organike; vii) buletinin informativ periodik për sektorin organik; viii) burime informacioni në internet.

-    një sistem informacioni për tregun organik

3.3    Fusha e tretë me përparësi fokusohet në nevojën për të strukturuar zinxhirin e ofertës organike duke lehtësuar konvertimin në sistemin organik (midis fermerëve dhe përpunuesve) dhe rritjes së ndërgjegjësimit publik, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, inkurajimin e zhvillimit të tregut për inpute dhe produkte organike.

3.3.1    Ngritja e sistemit kombëtar të informacionit, me krijimin e bazës së të dhënave organike, një faqe interneti dhe një sistemi informacioni për tregun organik (shih pikën 3.2.6) do të përmirësojë disponueshmërinë e informacionit për zinxhirin e ofertës organike, duke ndihmuar kështu operatorët organikë (ose që do të ishin organik) për të identifikuar më mirë mundësitë në këtë sektor.

3.3.2    Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit do të kërkojë që të merren masa që bujqësia organike të përfshihet në programet e shërbimit këshillimor publik me qëllim që të rritet ndërgjegjësimi i fermerëve për kërkesat teknike dhe administrative dhe përfitimet që lidhen me konvertimin në sistemin organik dhe çertifikimin.

3.3.3    Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit angazhohet që të marrë në konsideratë përfshirjen e adoptimit të metodës dhe praktikave të prodhimit organik midis kushteve të përzgjedhjes (dhe kritereve me përparësi) për të depërtuar në skemat e mbështetjes në bujqësi të cilat po hartohen aktualisht. Për më tepër, Programi i Zhvillimit Rural (në përgatitje e sipër) mund të përfshijë natyrshëm në skemë mbështetje pilot për bujqësinë organike në përputhje me përafrimin me BE-në të bujqësisë dhe ekonomisë ushqimore shqiptare.

3.3.4    Do të ndërtohen skema të veçanta të mbështetjes për marketingun dhe përpunimin e produkteve organike. Do të inkurajohen rrjetet lokale prodhues/konsumator si dhe organizatat e marketingut për prodhuesit e vegjël organik.

3.3.5    Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në bashkëpunim me ministri të tjera të linjës, mund të konsiderojë në të ardhmen adoptimin e një sërë masash mbështetëse të tërthorta të projektuara me kujdes (p.sh. përfitime fiskale për inputet organike të importuara dhe lëndët e para se zbritjes të tarifave për analizat e mostrave të produkteve ushqimore të përpunuara).

3.3.6    Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit do të synojë të lehtësojë integrimin e zinxhirit të prodhimit nëpërmjet angazhimeve kontraktuale midis aktorëve dhe formimin e marrëveshjeve ndër-profesionale.

3.3.7    Fillimisht, burimet publike (dhe private) në sektorin organik do të shfrytëzoheshin në mënyrë më efikase dhe efektive nëse fokusohen në një numër produktesh kyçe të përzgjedhura. Për këtë qëllim, do të identifikohet dhe karakterizohet një “shportë organike” shqiptare (përfshi p.sh, vajin e ullirit, verën, mjaltin, bimët mjekësore, etj.).

3.3.8    Potenciali i shportës organike shqiptare duhet të eksplorohet që në fillim, si në tregun e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm. Duhet të ndërmerret një vlerësim tregtar i produkteve organike kryesore shqiptare. Në këtë pikëpamje, realizimi i studimeve dhe analizave të tregut do të përfshihet midis projekteve me përparësi për t’u financuar me qëllim mbështetjen e zhvillimit të sektorit.

3.3.9    Marketingu i “shportës organike” shqiptare në tregjet e brendshme dhe të jashtme do të nxitet duke inkurajuar iniciativat që synojnë të stimulojnë interesin e blerësve potencialë, të tilla si:
-    realizimi i fushatave informuese, promovuese dhe edukuese në shkallë kombëtare për të rritur ndërgjegjësimin e konsumatorit lidhur me përfitimet shumëplanëshe të bujqësisë organike nga pikëpamja e shëndetit, mjedisit dhe zhvillimit lokal
-    ngritjen e “qoshkave organike” në tregjet lokale dhe supermarketet dhe promovimi i kontakteve të drejtëpërdrejta dhe lidhjeve të përhershme ndërmjet konsumatorëve dhe prodhuesve organik
-    ofrimin e ushqimeve organike në evenimente të veçanta
-    pjesmarrjen e prodhuesve dhe përpunuesve shqiptar të produkteve organike në panaire dhe evenimente ndërkombëtare për prodhimet organike
-    krijimin e sinergjive me iniciativat e turizmit të qëndrueshëm dhe evenimentet si dhe me produktet tipike

3.4    Fusha e katërt me përparësi ka të bëjë me mbështetjen e kërkimit shkencor, arsimit, trajnimit dhe shërbimit këshillimor për bujqësinë organike me qëllim që të zhvillohet dhe konsolidohet një sistem njohurish kombëtar për bujqësinë organike

3.4.1    Do të forcohen sinergjitë dhe bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet aktorëve të ndryshëm, ministrive të linjës, universiteteve dhe shërbimeve të tjera kërkimore dhe këshillimore, me synim mbështetjen e krijimit të vazhdueshëm të një sistemi njohurish të integruara për bujqësinë organike.
3.4.2    Do të identifikohen fusha kërkimore të veçanta me përparësi në bujqësinë organike dhe do të synohet financimi i tyre me fondet e duhura. Më poshtë janë propozuar për t’u marrë në konsideratë drejtimet e kërkimit shkencor: praktikat dhe teknologjitë e prodhimit organik; aspektet e tregut dhe ato social-ekonomike; hartimi dhe zbatimi i politikave. Ndërkohë, duhet të merren në konsideratë studime të tjera afatgjata mbi efektet pozitive të bujqësisë organike mbi shëndetin dhe natyrën, sjelljen e konsumatorit, kërkime për cilësinë, etj.
3.4.3    Në të ardhmen do të merret në konsideratë ngritja e grupit kërkimor shumëdisiplinor për bujqësinë e qëndrueshme/organike.
3.4.4    Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve kërkimore dhe shoqatave të bujqësisë organike do të inkurajohet me qëllim që të bëhen të mundura kapacitetet akademike dhe veprimtaritë shkencore të cilat të jenë të orientuara drejt zgjidhjes së problemeve dhe t’i përgjigjen nevojave të fermerëve organikë.
3.4.5    Do të nxitet përfshirja e moduleve të bujqësisë organike në kurrikulën akademike dhe një ofertë të përshtatshme për mundësi trajnimi profesional për bujqësinë organike dhe praktikat përpunuese.
3.4.6    Në organizimin në vazhdim të shërbimeve këshillimor publik, siç është përmendur në pikën 3.3.2, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet integrimit të bujqësisë organike në planet (dhe programet) e shërbimeve këshillimore të veprimtarive me qëllim nxitjen dhe transferimin dhe përhapjen e njohurive organike midis prodhuesve shqiptarë. Në këtë pikëpamje, bashkëpunimi ndërmjet shërbimeve këshillimore publike dhe OJQ-ve vendase dhe të huaja, mund të rrisë nivelet e performancës së ofrimit të shërbimeve. Prandaj, do të inkurajohet fort bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave.

3.5    Fusha e pestë me përparësi ka të bëjë me inkurajimin e integrimit të Shqipërisë në një komunitet organik ndërkombëtar dhe nxitjen e rrjetëzimit kombëtar dhe ndërkombëtar

3.5.1    Përfaqësimi i Shqipërisë në një komunitet organik ndërkombëtar dhe debatet për çështjet strategjike do të mbështetet nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve të duhura dhe pjesmarrjes në evenimentet kryesore.

3.5.2    Imazhi i bujqësisë organike shqiptare do të promovohet në mënyrë aktive në mbarë botën. Disa nga iniciativat e përmendura në pikën 3.3.8 dhe 3.3.9 mund të kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në këtë objektiv. Për më tepër, historia dhe përvoja e lëvizjes dhe sektorit organik shqiptar duhet të raportohet siç duhet në botime dhe faqe interneti që janë të dedikuara për bujqësinë organike.

3.5.3     Identiteti dhe roli i Shqipërisë në komunitetin organik mesdhetar do të forcohet nëpërmjet intensifikimit të marrëdhënieve dhe       
bashkëpunimit me partnerët mesdhetarë me synim shkëmbimin e  
përvojës dhe praktikës më të mirë për prodhimet organike dhe   
tipike.

3.5.4     Do të inkurajohet bashkëpunimi dhe rrjetëzimi ndërmjet organizatave vendase për bujqësinë organike.
Në të njëjtën kohë, për një rritje më të ekuilibruar të vetë sektorit dhe një dialog më të mirë ndërmjet komunitetit organik me atë të bujqësisë në përgjithësi, do të forcohet ndërtimi i aleancave “të jashtme” përtej sektorit organik.

 

Shkarko dokumentin e plote