Ministria e Bujqesise, Ushqimit dhe Mbrojtjes se Konsumatorit

Përmbytjet ne Shkoder

E-mail Print PDF
There are no translations available.

Për shkak të rreshjeve intensive të ditëve të fundit, që kanë qenë në nivelet të larta, 156 milimetër në Shkodër, 94 në Lezhë dhe 103 në Korçë dhe shkrirjes masive të dëborës gjatë javës së kaluar, nga ngritja e temperaturave deri ne 23 gradë celcius,  pati një rritje të konsiderueshme të prurjeve të përrenjve dhe lumenjve në të gjithë pellgjet ujëmbledhëse të vendit.

Por edhe kushtet meteorologjike në det e kanë rënduar situatën. Sipas burimeve nga Kapiteneria Detare, që nga e premtja e javës së shkuar, kushtet e motit në det kanë qenë të tilla që  e kanë penguar derdhjen në det të lumenjve në zonën e Shkodrës dhe Lezhës. Drejtimi i erës nga jugu, që sjell fryrje të Adriatikut drejt veriut, pritet të zgjasë deri të enjten, ndërkohë që nesër pritet dhe një përkeqësim i situatës duke qenë se deti parashikohet të ketë një dallgëzim 7 ballë nga 5 – 6 që ka qenë këto ditë, ndërsa era do vijojë të ketë shpejtësi 40 – 50 kilometra në orë.

Në  Shkodër  

Për shkak të rreshjeve të mëdha dhe nga rritja e shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, niveli  i lumit Buna ka arritur në kuotën rreth 6.12 metër në Dajç. Ka  filluar shkarkimi i Bunës edhe nga kanali i Shirgjit, i cili shkarkon në Vilun. Jemi në një situatë kritike, ku nëse niveli në Shirgj do të arrijë në kuotën 6.4 metër atëherë fillon dhe përmbytja e tokave në fshatin Dajç.

Po monitorohen argjinaturat e lumit Buna, duke marrë masa për ndërhyrje eventuale në segmentet e rrezikuar.

Argjinatura e Çasit, paraqitet në gjendje të mirë pas përfundimit të riparimit të saj për shkak të dëmtive gjatë përmbytjeve të muajit janar. Nuk ka ngritje të nivelit të ujit në 1500 ha të fushës së Çasit, ndërsa largimi i ujit po bëhet nëpërmjet funksionimit të hidrovorit të Çasit.

Në Lezhë

Në datën 21.2.2010, prurjet e lumit Mat pësuan një rritje të madhe si rezultat i shkarkimeve të hidrocentralit të Shkopetit dhe prurjeve të tjera anesore. Vështirësia e shkarkimit të ujërave të lumit Mat në grykderdhjen e tij si rezultat edhe i baticës dhe dallgëzimit të lartë, bëri që të rritet shumë shpejt niveli i ujit në kënetën e Taljes duke u përsëritur në këtë mënyrë i njëjti fenomen si në përmbytjen në fillim të janarit 2010. Ngritja e nivelit të ujit rrezikoi prishjen e argjinaturave në hidrovorin e Taljes, por ndërhyrjet urgjente të bëra gjatë natës së mbrëmshme nga Bordi i Kullumit të Lezhës deri tani e kanë shmangur këtë rrezik. Situata po mbikqyret në vazhdimësi dhe në mëngjesin e sotëm ka rënie të nivelit të ujit.

Në Mat

Prurjet e mëdha në basenet ujëmbledhës të disa rezervuarëve kanë bërë që të ngrihen shumë shpejt nivelet e ujrave në rezervuarë, madje në disa prej tyre janë krijuar situata që cënojnë sigurinë e digave. Veçanërisht nivelet e larta të ujit në rezervuar dhe mosfunskionimi me kapacitet të plotë të shkarkuesve katastrofik dhe ujëlëshuesve, kanë vënë në rrezik digën e rezervuarit Sukbull në  Komunën Lis dhe Bejn 1 dhe Bejn 2 në Komunën Klos.

Aktualisht këto rezervuarë po mbahen në mbikqyrje.  

Në Korçë

Nga prurjet e mëdha të lumit Devoll mbi nivelet kritike, në afërsi të fshatit Sheqeras një segment i argjinaturës së këtij lumi është demtuar. Vërshimet e ujit kanë shkaktuar përmbytjen e rreth rreth 3000 ha tokë bujqësore (një pjesë e të cilës është e përmbytur në mënyrë të vazhdueshme si zonë depresive). Ndërhyrjet për riparimin e argjinaturës së dëmtuar do të fillojnë menjëherë sapo të ulet niveli shumë i lartë i lumit.  
 

Gjithashtu gjatë 10 ditëshit te fundit jane evidentuar probleme të shumta në disa zona të vendit në digat e rezervuarëve: Kurjan në Fier, Paskuqan në Tiranë, Ballaban dhe Kajcë në Përmet, Prishtë në Skrapar, Memaj në Durrës, etj

Probleme janë evidentuar edhe nga rritja e nivelit të lumit Devoll (në zonën e Kuçovës) duke gërryer toka bujqesore dhe rrezikuar stacionin e ujit të pijshëm të fshatit Kozarë, pranë digës së Vlashukut.

Gjithashtu, në lumin Drin në Shkodër, në zonën e Ashtës, fshati Lukaj, është dëmtuar një segment i tokës bujqësore dhe rrezikohen edhe 8 shtëpi banimi.

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe e Mbrojtjes së Konsumatorit po e ndjek situatën 24 orë në 24 dhe gjithë bordet e kullimit dhe baza teknike e tyre është në gatishmëri. Njëkohësisht veprat e dëmtuara të sistemit kullues, po përfshihen në planin prioritar të investimeve.