Ministria e Bujqesise, Ushqimit dhe Mbrojtjes se Konsumatorit

Transformimi i sektorit bujqesor

E-mail Print PDF
There are no translations available.

Ministri Genc Ruli merr pjesë në konferencën ndërkombëtare “Mbi të ardhmen e bujqësisë në një Europë që zgjerohet”. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, z. Genc Ruli mori sot pjesë në konferencën ndërkombëtare “Mbi të ardhmen e bujqësisë në një Europë që zgjerohet”. Ne fjalën e tij të mbajtur me këtë rast, ministri Ruli fillimisht tha se Shqipëria ndihet e privilegjuar që kjo konference ndërkombëtare zhvillohet pikërisht në Shqipëri, si një nga vendet e  Ballkanit perëndimor që aspiron të bëhet sa më shpejt vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Sipas ministrit Ruli Shqipëria është një kandidat potencial për anëtarësim në BE. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ka hyre në fuqi me 1 Prill 2009 dhe në fund të këtij muaji, Shqipëria ka aplikuar zyrtarisht për të qenë vend kandidat për anëtar i Bashkimit Europian. “Integrimi europian përbën një sfidë madhore për çdo vend aspirues”, - tha ai, -“Përmasat dhe kompleksiteti i sfidës janë shfaqur në nivele të ndryshëm për vendet që kanë ecur në këtë rrugë, në funksion të vetë historisë së zhvillimit institucional, kulturor e ekonomik të tyre. Shqipëria, e ngjashme por edhe e ndryshme nga vendet e tjera postkomuniste që tashmë janë anëtarë të BE apo aspirantë të këtij anëtarësimi, paraqet, në kontekstin e këtij procesi integrues, një veçanti edhe më të spikatur: Shqipëria është i pari vend që i afrohet BE-së me një strukturë të Prodhimit Kombëtar, ku sektori bujqësor përbën rreth 22 % të tij, dhe me dominancë demografike të popullsisë që jeton në hapësirën rurale (rreth 52%)”.

Bujqësia përbën burimin kryesor të të ardhurave për pjesën më të madhe të familjeve që jetojnë në këto zona. Rritja ekonomike në bujqësi varion nga 3-3,5 % në vit, nga 6-6,5 % që është rritja e ekonomisë në tërësi. Zhvillimi me shpejtësi i disa degëve të veçanta të bujqësisë, siç janë blegtoria, perimet, vreshtaria  dhe ulliri, kanë bërë që sektori bujqësor vendas të siguroje aktualisht rreth 85 % të nevojave të brendshme për produkte ushqimore. Megjithatë, bujqësia në Shqipëri dhe hapësira rurale në tërësi, vazhdon të përballet me probleme të mëdha, të cilat mbetet për t’u  zgjidhur në të ardhmen, si një kusht për progres te mëtejshëm.

Sipas ministrit Ruli, Ferma e vogël bujqësore me sipërfaqe toke mesatarisht 1,2 ha/ ferme, shkalla e ulët e mekanizimit, niveli i ulët teknologjik, niveli i ulët i produktivitetit, mungesa e bashkëpunimit midis fermerëve, standartet ende të ulëta të prodhimeve, si dhe shkalla e ulët e konkurueshmerisë, janë disa nga faktorët pengues për një zhvillim të qëndrueshëm e të shpejtë të bujqësisë shqiptare. “Për të gjitha këto arsye, ne vazhdojmë të kemi një pjese të mirë të fermave (afërsisht 65 % të totalit), të paafta të dalin në tregun e brendshëm dhe për pasojë, një vëllim relativisht të lartë të importit të produkteve bujqësore e ushqimore. Sot, raporti import - eksport në bujqësi është  10:1 në favor të importeve. Importet arrijnë vlerën e 700  milion $/vit ndërsa  eksportet rreth 70 milion $. Produktet më të importuara janë drithërat me afro 100  milion $, frutat 50 milion $, mishi 50 milion $, dhe duhan - cigaret 70 milion $/vit”.

Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë, ku Shqipëria bën pjesë, padyshim e kanë ekspozuar prodhimin tonë bujqësor përballë një konkurence të fortë në tregjet fqinje. Politikat dhe masat për nxitjen e eksporteve të prodhimeve bujqësore shqiptare si dhe rritjen e konkurueshmërisë së sektorit tonë bujqësor janë ende të pakta. Prodhimet tona më të eksportura vazhdojnë të mbeten produktet e peshkut të përpunuar, bimet aromatike dhe mjekesore si dhe disa perime te hershme.

“Sfida kryesore  në  zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale në Shqipëri”, tha ministri Genc Ruli, - “do të vazhdojë të mbetet edhe për shume kohë transformimi i sektorit bujqësor, nga një sektor  prodhimi për mbijetesë, në një sektor të qëndrueshëm, modern, konkurues, i aftë t’i pergjigjet sfidave të zhvillimit lokal dhe atij botëror e europian, të perballlojë krizat si kriza e ushqimeve botërore që sapo kaluam, ndryshimit të klimes, rritjes së numrit të popullsisë, zvogëlimit të tokës arë, por edhe në një sektor që të jetë në harmoni dhe respekton e ruan natyren dhe njerëzit që punojnë në bujqesi dhe banojnë në zonat rurale”.

Në programin e ri për bujqësinë, qeveria shqiptare ka marre përsipër të mbështesë fuqishëm këtë sektor me fonde, me programe te veçanta mbështetjeje për fermerët dhe agroindustrine.

Ne programin afatmesëm të buxhetit është parashikuar që fondet për bujqësinë dhe zhvillimin rural do të rriten se paku me rreth 25 % çdo vit, me objektiv që deri në vitin 2013 të kemi një buxhet dy here më të madh nga ai që përdorim aktualisht.

Fondet publike do të rriten për të gjithë komponentët kryesore të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, siç janë mbështetja e drejtpërdrejte për prodhimin në fermë, programi për zhvi1llimin e ullishtarisë, siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit, infrastruktura e ujitjes dhe kullimit, marketingu i produkteve bujqësore dhe industria agro-përpunuese.

Prej  tre vitesh qeveria shqiptare  ka filluar të subvencionoje disa nga sektorët prioritarë të lartpërmendur, ndonëse me shuma modeste, që nga viti në vit kane variuar nga 5-10 milion $,  por që  kanë patur një impakt shumë pozitiv në rritjen e produktivitet dhe standardeve në prodhim.

Me qëllim përmirësimin e nivelit teknologjik në prodhimin bujqësor, skemat aktuale të subvencionit do të zgjerohen në vitet që vijnë edhe me mbështetje për mekanikën bujqësore, ambientet ruajtëse dhe përpunuese, prodhimin e fidanëve dhe farave cilësore etj. Buxheti për mbështetjen financiare të drejtpërdrejte do të rritet çdo vit me 15-20 %,   duke bërë vlerësim të efekteve të tij në vazhdimesi, korrigjimet e nevojshme  dhe me synim dyfishimin e tij deri ne vitin 2013.

Politika prioritare prioritare do të vazhdojnë të mbeten: standartizimi dhe rritja e cilësisë e prodhimeve ekzistuese që kanë treg, në menyre që ato të vazhdojnë të ruajnë përqindjen e  tregut që kanë zënë si dhe të rritet sasia e prodhimit të tyre për përmbushur kërkesat në rritje për frutat, ullirin, rrushin, prodhimin e perimeve, prodhimin e produkteve blegtorale dhe në agropërpunim.
“Shpresoj që kjo konference e sotme do të shërbeje si një mundësi reale për të diskutuar së bashku sfidat me të cilat përballet zhvillimi rural në vendet që aspirojnë për anëtarësim,  si dhe do të shërbejë si një mundësi e mire për të shkëmbyer eksperiencat ndërmjet vendeve dhe organizatave të ndryshme të përfshira në procesin e rëndësishëm të zgjerimit të BE-se”, ka thënë ministri Ruli në konferencë.