Përmbledhje
Marrja e vendimeve të drejta përbën çelësin e një drejtimi të suksesshëm në ndërmarrjet e agrobiznesit. Duke e vlerësuar në tërësi proçesin e vendimmarrjes, mund të konsiderojmë se marrja e vendimeve mund të përshkruhet si një veprim i”zgjedhjes mes alternativave”, e që në pamje të parë duket si një proçedurë tepër e thjeshtë. Në një farë mënyre, marrja e vendimeve mund të konsiderohet thjeshtë si një proçes veprimi i zgjedhjes mes alternativave. Ajo që theksohet në artikull ka të bëjë me faktin se jo gjithmonë vendimmarrësi ka informacion të mjaftueshëm për pasojat ekonomike që mund të ndodhin në të ardhmen. Në këto kushte synohet të shpjegohet se ekzistojnë mundësitë që vendimmarrësi të disponojë informacion mbi dukuritë e ardhshme, ndaj dhe në dobi të proçesit të vendimmarrjes ai mund të përdor probabilitetin për të marrë vendime. Por, ajo që vlen të theksohet ka të bëjë me faktin se edhe pse mund të përdoret probabiliteti, ekzistojnë disa kritere që ndihmojnë vendimmarrësin, ndër të cilat, theksohen dy prej tyre, vlera monetare e pritshme dhe humbja e mundësisë së pritshme (pritur).
Duke përdorur konceptin e vlerës së pritur, është e domosdoshme që në fillim vendimmarrësi të përllogarisë përafërsisht mundësinë e realizimit të secilave prej pasojave ekonomike. Pasi të jenë bërë këto llogaritje, përllogaritet vlera e pritshme për çdo alternativë vendimarrjeje, duke shumëzuar secilin përfundim (nga vendimi) me probabilitetin e mundësisë së ndodhjes së këtyre ndodhive dhe më pas mbledhjen e rezultateve përkatëse. Vendimi më i mirë që mund të marrim është ai që rezulton me një vlerë të pritshme më të lartë.
Një tjeter kriter vendimmarrjeje që lidhet me vlerën e pritur është humbja e mundësisë së pritshme, (pendimi). Në këtë rast ne shumëzojmë probabilitetet nga pendimi për çdo rezultat të ardhur dhe nga ana tjetër shumëzojmë rezultatet e vendimit me probabilitetet e ndodhjes, sikundër vepruam dhe me vlerën monetare të pritur.
Fjalë kyçe: Vendimmarrje, Propabilitete, Vlerë monetare e pritur, humbja e mundësisë së pritshme.
Për më shumë klikoni këtu.




